
Studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut kanë paralajmëruar një tjetër protestë për mbrojtjen e gjuhës shqipe dhe të drejtës për të zhvilluar provimin e jurisprudencës në shqip.
“Nëse menduat se u ndalëm, gabuat. Të parën e shpërfillët, e dyta po vjen”, është mesazhi që është shpërndarë në disa qytete të vendit.
Mobilizimi i dytë ka nisur nga Kumanova, ku studentët zhvilluan një debat organizativ për protestën e ardhshme dhe hapat që do të ndjekin.
Një nga organizatorët, Mevlan Ademi, deklaroi se synimi është një protestë më e madhe dhe më e unifikuar.
Sipas tij, ekziston vullnet dhe gatishmëri për ta çuar kauzën përpara.
Protesta e parë u mbajt më 6 prill në Shkup dhe përfundoi para Ministrisë së Drejtësisë.
Studentët pretendojnë se deri tani nuk ka pasur asnjë reagim konkret nga qeveria për kërkesat e tyre, të cilat lidhen me të drejtat e shqiptarëve që burojnë nga Marrëveshja e Ohrit.
Kauza ka marrë edhe dimension politik, pasi debati është zgjeruar në çështjen e përfaqësimit të shqiptarëve në institucionet shtetërore, në një kohë kur shqiptarët janë pjesë e koalicionit qeverisës përmes VLEN.






