
Një skandal i rëndë ushqimor ka shpërthyer në Akademinë e Policisë, ku 56 studentë kanë përfunduar në spital pas helmimit nga ushqimi i servirur nga kompania SORI-AL.
Sipas burimeve për Top Channel, analizat kanë zbuluar se makaronat e konsumuara nga studentët ishin të kontaminuara me bakteret e rrezikshme stafilokok koagulaze dhe E.coli.
Burimet bëjnë me dije se kushtet jo të mira higjieno-sanitare kanë ndikuar në zhvillimin e baktereve, ndërsa analizat e kryera nga ISUV treguan se makaronat para gatimit rezultonin brenda standardeve të sigurisë ushqimore.
Rezultatet e analizave i janë dorëzuar edhe AKU-së, por institucioni nuk i ka bërë publike, me argumentin se hetimi nuk ka përfunduar ende.
Ndërkohë, studentët e Akademisë së Policisë vazhdojnë të furnizohen me ushqim nga e njëjta kompani, ndërsa ndryshimi i vetëm ka qenë zhvendosja e sallës së ngrënies, pasi ambientet e mëparshme po dezinfektohen nga ISHP.
Kompania SORI-AL vijon të furnizojë me ushqime disa institucione shtetërore, përfshirë edhe spitalin “Shefqet Ndroqi”.
Pavarësisht skandalit, masa e marrë ndaj kompanisë deri tani raportohet të jetë vetëm një gjobë prej 200 mijë lekësh.






