
Lakuriqi i natës, i konsideruar prej vitesh si “fajtori” kryesor për shpërthimin e pandemisë Covid-19, mund të ketë qenë i pafajshëm. Ky është përfundimi që ngre ekspertja e faunës së egër Stefania Leopardi në një analizë të publikuar nga gazeta italiane La Repubblica.
Sipas studimit dhe analizave të prezantuara nga Leopardi, pandemia mund të mos ketë origjinën direkte te lakuriqët e natës, ndërsa kërkimi i një “fajtori biologjik” është kthyer shpesh në një narrativë të thjeshtëzuar për të shpjeguar krizën globale.
Ekspertja thekson se ende nuk ekziston një provë përfundimtare mbi origjinën reale të Covid-19 dhe se ndoshta bota nuk do ta mësojë kurrë me siguri se si nisi pandemia që paralizoi globin.
Sipas saj, lakuriqët e natës janë demonizuar padrejtësisht, ndërkohë që ata luajnë rol kyç në ekosistem dhe kontrollin natyror të insekteve.
Debati mbi origjinën e Covid-19 vazhdon të mbetet i hapur edhe vite pas pandemisë, me teori që përfshijnë transmetimin natyror nga kafshët, laboratorët dhe faktorë të tjerë ende të paqartë.
Artikulli rikthehet në vëmendje në një moment kur frika globale ndaj viruseve zoonotike është rritur sërish pas alarmit ndërkombëtar për hantavirusin në kroçerën “MV Hondius”.






