
Partia Demokratike i ka kërkuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve pajisjen me materiale zgjedhore për procesin e 23 majit, ku Sali Berisha kandidon i vetëm për kreun e partisë. Në kërkesën zyrtare të depozituar në KQZ, selia blu kërkon 30 kuti votimi, 100 dhoma të fshehta dhe 700 vula sigurie për kutitë e votimit.
Shkresa është firmosur nga sekretari organizativ i PD-së, Ervin Minarolli, i cili argumenton se materialet janë të nevojshme për garantimin e standardeve të procesit dhe ruajtjen e sekretit të votës. Kërkesa ka nxitur debat politik, pasi në garë figuron vetëm emri i Sali Berishës, pas përjashtimit të rivalëve të tjerë nga procesi.
Kandidatët që tentuan të hynin në garë, mes tyre Mereme Sela, kanë akuzuar Berishën për zhvillimin e një procesi farsë dhe për eliminimin procedural të kundërshtarëve. Çështja tashmë pritet të shqyrtohet edhe në gjykatë, ndërsa me short është caktuar gjyqtarja Suela Xhani si relatore e padisë së Selës.
Sipas kritikëve brenda PD-së, procesi i 23 majit më shumë ngjan me një referendum për konfirmimin e Berishës sesa me një garë reale. Ndërkohë, drejtuesit e Partisë Demokratike insistojnë se procesi do të zhvillohet sipas standardeve statutore dhe me transparencë të plotë.



