Ministrja Ismaili i përgjigjet opozitës për JetBank: “Kryeministri nuk licencon banka”, sulmet ndaj Bankës së Shqipërisë dëmtojnë ekonominë dhe besimin publik

Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Erjona Ismaili në fjalën e mbajtur gjatë interpelancës së kërkuar me kryeministrin lidhur me licencimin e JetBank, bankës së parë digjitale në Shqipëri deklaroi se opozita po dezinformon, po bën propagandë dhe përpjekje për të krijuar pasiguri te qytetarët, duke theksuar se licencimi i bankave nuk është kompetencë e qeverisë apo e kryeministrit, por ekskluzivisht e Bankës së Shqipërisë.
Ajo theksoi se Kushtetuta dhe ligji për Bankën e Shqipërisë garantojnë pavarësinë e institucionit, duke shtuar se çdo përpjekje për të delegjitimuar bankën qendrore cenon stabilitetin financiar dhe besimin publik.
Ismaili ironizoi opozitën duke deklaruar se kërkesa për interpelancë synon ta kthejë kryeministrin “edhe në guvernator, edhe në prokuror, edhe në gjykatës”.
Sipas saj, opozita sulmon çdo investim apo nismë të re në vend, nga teknologjia te sipërmarrjet private, vetëm për interesa politike.
Ministrja mbrojti modelin e bankës digjitale, duke e cilësuar atë si pjesë të modernizimit të ekonomisë shqiptare, luftës kundër informalitetit dhe tranzicionit drejt pagesave elektronike.
Ajo deklaroi se sistemi i bankave digjitale ndihmon në gjurmimin e çdo transaksioni dhe ul përdorimin e parasë cash, duke e afruar Shqipërinë me standardet europiane.

Fjala e plotë:

Më vjen mirë të zhvilloj këtë interpelancë sot, sa prej nevojës, po aq edhe prej dëshirës për të thënë disa të vërteta edhe sqarime që lidhen me këtë temë, por edhe për gjithçka ndodh në përditshmëri përtej saj. Ama fort keq më vjen të shoh një përditshmëri të ngarkuar me dezinformim, me konfuzion dhe shqetësim të stisur në fabrika selish politike, në kurriz të qytetarëve. Kjo është një njollë që partia juaj e mban prej interesit të ekzagjeruar partiak që prevalon mbi interesin e qytetarëve dhe të kombit.

Tashmë ky stil i vjetër me mjete të reja shfaqet me kërkesën krejt të pazakontë për interpelancë me kryeministrin, sikurse është i licencimi i JetBank si banka e parë digjitale në Shqipëri. Do doja të cilësoja që në krye të këtij diskutimi se kjo çështje nuk është kompetencë e qeverisë.

Kushtetuta dhe ligji për Bankën e Shqipërisë sanksionojnë qartë pavarësinë institucionale të saj, duke përcaktuar se ushtrimi i kompetencave dhe detyrave të ngarkuara me ligj, përfshirë licencimin dhe mbikëqyrjen bankare, kryhet në mënyrë të pavarur dhe jashtë ndikimit nga çdo pushtet tjetër, përfshirë atë ekzekutiv.

Megjithatë, siç na tregon historia e largët e pushtetit tuaj, janë krejt pa rëndësi për ju çështjet e kompetencave, lirisë a pavarësisë, respektimit të kufijve se ku mbaron pushteti i njërit e ku fillon pushteti i tjetrit. Ju investoni vetëm në retorikë e propagandë me qëllim ngjalljen e frikës dhe të pasigurisë për e vërteta, si dielli nuk mbulohet dot me shoshë. Sot nuk kemi një debat për një bankë digjitale; për fat të keq, jemi përpara një debati për dy modele të Shqipërisë të cilat nuk ecin as paralel njëra-tjetrës si dy drejtëza të kithëta që nuk do puqen dot kurrë. Nga njëra anë, një model që e sheh vendin vetëm nëpërmjet baltës, dyshimit dhe teorive konspirative me referenca portalesh e sulme për çdo nismë të re nga njëra anë dhe modeli i një Shqipërie që ecën përpara, që hap tregun, që tërheq investime, që forcon institucionet. Modeli i një Shqipërie kohë e së cilës nuk matet me orë e minuta, por me punë dhe rezultate, me arritje të cilat ditë pas dite shkurtojnë kilometrin e fundit të Shqipërisë në rrugën drejt Bashkimit Evropian. Më shumë se gjashtë muaj punë në këtë sallë, çuditë s’kanë patur limite e kufij as në imagjinatë e as në retorikë. Nga kapja e shtetit tek pushteti i pakufishëm, retorikë që në fakt tregon as më shumë e as më pak sesa mentalitetin dhe perceptimin tuaj për shtetbërjen dhe shtetfunksionimin.

Andaj, fort çudi më bën, po aq sa hiç çudi s’më bën, të shoh një kërkesë për interpelancë të kërkuar nga ju, ku kërkoni që kryeministri të bëhet edhe guvernator, edhe prokuror, edhe gjykatës. Që ta dini ju, bankat në Shqipëri nuk i licencon kryeministri. Nuk i licencon qeveria; i licencon Banka e Shqipërisë, institucion krejt i pavarur me mandat ligjor. Kushtetuta dhe ligji për Bankën e Shqipërisë e sanksionojnë qartë pavarësinë institucionale të saj, e cila nuk është thjesht një parashikim teorik, por një gur themeli për garantimin e ushtrimit të përgjegjësive dhe detyrave të saj të ngarkuara me ligj, përfshirë licencimin dhe mbikëqyrjen bankare, me qëllim garantimin e besimit të publikut.

Besueshmëria e bankës tonë qendrore është jetike, dhe çdo veprim ose retorikë që minon reputacionin e saj mund të ketë pasoja të thella për sistemin bankar dhe për rrjedhojë të gjithë ekonomisë së vendit. Nga njëra anë thoni dhe kërkoni të garantojmë respektimin e kompetencave pavarësisë së pushteteve dhe institucioneve; nga ana tjetër, kërkoni ndërhyrje të politikës dhe ekzekutivit në çështjet e kompetencës së bankës. Ne kemi bërë pikërisht këtë: kemi garantuar pavarësinë e bankës. Ne kemi bërë atë që ju nuk mundët e nuk ditët dot ta bëni për më shumë se 25 vite: të garantojmë pavarësinë, lirinë dhe paprekshmërinë e pushteteve dhe kompetencave; të garantojmë integritetin e vendimmarrjes. Funksionimi i bankës si institucion i pavarur kushtetues forcohet më tej nga struktura e brendshme e qeverisjes, ku vendimmarrja realizohet nga organe kolegjale me shumë anëtarë të emëruar për mandate të përcaktuara dhe të mbrojtura ligjërisht. Në këtë kuadër, qeveria nuk ka kompetencë të japë udhëzime, të ndërhyjë apo të ndryshojë vendimmarrjen e bankës qendrore. Për rrjedhojë, ajo nuk është palë përgjegjëse për shpjegimin apo justifikimin e vendimeve konkrete të bankës qendrore, pasi këto janë ekskluzivisht në juridiksionin e saj. Nga ana tjetër, sistemi garanton llogaridhënie institucionale si ndaj publikut ashtu edhe ndaj parlamentit. Thënë sa më sipër, duke iu kthyer çështjes konkrete, dëshiroj të theksoj se pushteti ekzekutiv në asnjë rast nuk mund dhe as është përfshirë ndonjëherë në procesin e licencimit të bankave të nivelit të dytë apo të bankave digjitale. Banka qendrore disponon bazën ligjore dhe kapacitetin profesional për të vlerësuar modelet e biznesit, përshtatshmërinë e aksionerëve dhe efektivitetin e strukturave të qeverisjes së institucioneve që aplikojnë për licencë.

Megjithatë, shqetësimi im sot nuk është licencimi, pasi besoj tek institucionet e pavarura dhe Banka e Shqipërisë përbën një institucion model në këtë drejtim. Shqetësimi im është nevoja për vetëpërmbajtje dhe tregimin e kujdesit të duhur, me qëllim shmangien e ndikimit dhe pasojave që mund të kenë retorikat e diskutimet në këtë parlament dhe jashtë tij në stabilitetin e sistemit bankar dhe financiar, si dhe në vetë ekonominë e vendit.

Po të licenconte kryeministri bankat, ju do ishit të parët që do bërtisnit për kapjet e një institucioni të pavarur. Tani që nuk i licencon kryeministri, bërtisni po njësoj. Pra, problemi juaj nuk është parimi; problemi juaj është zhurma. Më kujton atë shprehjen popullore: “Hip se të vrava, zbrit se të vrava.”

Keni ngritur pikëpyetje për kapitalin. Kapitali minimal për licencë bankare kërkohet nga ligji. Atë që ligji e kërkon, ju e paraqisni si skandal. Keni ngritur pikëpyetje për strukturën e pronësisë. Për këtë ka institucione, ka procedura, verifikime dhe rregullator. Nuk vendos foltorja e Kuvendit se kush është i ligjshëm dhe kush jo. Keni folur për reputacionin e Shqipërisë në Evropë. Po ju them qartë se ajo që dëmton reputacionin e Shqipërisë nuk janë investimet e licencuara sipas ligjit. Ajo që dëmton është kur politika i paraqet partnerëve tanë një vend ku çdo institucion delegjitimohet dhe çdo investim goditet pa prova.

Opozita është pala që monitoron pushtetin, maxhorancën, por ju s’jeni as opozitë tashmë. Jeni një pjesë amorfe që s’keni as formë dhe as përmbajtje. Një bankë digjitale është një forcë modernizuese dhe përbën materializim të asaj që synojnë vetë kapitujt e integrimit. Prek ekonominë digjitale, ku kërkohet inovacion, identifikim elektronik dhe shërbime online. Prek edhe luftën kundër informalitetit, sepse sa më shumë transaksione bankare dhe digjitale, aq më pak hapësirë ka ekonomia gri. Banka digjtale funksionon si pjesë edhe në koherencë me sistemin bankar, si një instrument për cashless, duke luftuar transaksionet me para në dorë. Transaksionet në bankën digjitale bëhen nëpërmjet sistemit bankar dhe paratë transferohen përmes bankave ekzistuese, duke gjurmuar çdo transaksion. Askush nuk ka mundësi të depozitojë para në cash. Por jo, ju e keni ndarë mendjen. Ju sulmoni çdo investim të ri. Kur vjen një kompani e re, ju hapni sulm. Kur hapet një sipërmarrje e re, sulm. Kur futet teknologji e re, sulm. Pra, ju jeni gati të sakrifikoni të ardhmen e vendit dhe të Shqipërisë, vetëm e vetëm që suksesi të mos i njihet Partisë Socialiste. Deri në këtë pikë ka shkuar dëshpërimi juaj të bëni kurban të ardhmen e vendit për karriget tuaja të munguara. Aspak çudi as surprizë, mjaftueshëm e qartë, po aq sa e pritshme nga një opozitë që betejat sot i ka për adresa Facebook-u, sepse ju kujtoni se punët bëhen me statuse Facebook-u, ashtu siç ju kujtoni që votat merren me dhunë e flakadanë.

I vetmi flakadan që do duhej të ishte i ndezur sot do ishte vetëm një, këtu: flakadan i ndezur në zemër për të ardhmen e vendit tonë si një shtet anëtar në familjen evropiane. Mos harroni se ka një kohë për të qarë e qeshur, siç ka një kohë për të jetuar e vdekur; rëndësi ka çfarë lëmë pas. Kjo çështje e JetBank-ut sot më ka vërtetuar edhe njëherë se ajo që na bashkon ne me ju është asgjë, dhe ajo që na ndan ne me ju është gjithçka.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu