
Deputeti socialist Erion Braçe ngriti sërish në Kuvend shqetësimin për trajtimin e kafshëve të braktisura, duke akuzuar institucionet për mungesë përgjegjësie dhe shmangie të kompetencave.
Gjatë fjalës së tij, Braçe deklaroi se prej kohësh ka kërkuar informacion për gjendjen e kafshëve shoqëruese të braktisura, shëndetin dhe mënyrën si trajtohen, por sipas tij institucionet ia kalojnë përgjegjësinë njëra-tjetrës.
“Unë kam kërkuar informacion për kafshët shoqëruese të braktisura, shëndetin e tyre dhe natyrisht mënyrën e trajtimit të tyre. Dhe agjencia thotë ‘s’e kam kompetencë’ dhe në krahun tjetër ministri thotë ‘s’e kam kompetencë’”, u shpreh Braçe në Kuvend.
Deputeti socialist sqaroi se kërkesa e tij drejtuar ministrit lidhet me kontrollet që duhet të ushtrohen ndaj organeve të pushtetit vendor, duke iu referuar nenit 77 të ligjit.
Braçe ka ngritur prej javësh alarmin për situatën e kafshëve të braktisura në vend, ndërsa më herët kërkoi edhe interpelancë të posaçme për këtë çështje, duke e cilësuar si një problem social dhe human që kërkon ndërhyrje urgjente nga bashkitë dhe institucionet përgjegjëse.






