
BRUKSEL – Çështja e imunitetit parlamentar në Shqipëri është reflektuar në raportin e Parlamentit Europian për vitin 2025, ku përmendet edhe rasti i ish-zv/kryeministres Belinda Balluku.
Dokumenti i miratuar nga Komisioni i Jashtëm i Parlamentit Europian, me 58 vota pro, 7 kundër dhe 7 abstenim, thekson se vendimet për imunitetin duhet të merren pa ndërhyrje politike dhe pa vonesa të pajustifikuara.
Në raport nënvizohet se imuniteti parlamentar është pjesë e kuadrit kushtetues për funksionimin e institucioneve demokratike, por çdo vendim duhet të respektojë strikt procedurat ligjore.
“Çdo vendim në këtë drejtim duhet të merret në përputhje me dispozitat kushtetuese dhe procedurat ligjore të përcaktuara, pa ndërhyrje politike dhe pa vonesa të pajustifikuara”, thuhet në dokument.
Referenca lidhet me rastin kur SPAK kërkoi nga Kuvendi heqjen e imunitetit për Belinda Ballukun, e marrë e pandehur për shkelje të barazisë në tenderin e tunelit të Llogarasë.
Kërkesa u shty fillimisht në Këshillin e Mandateve dhe më pas u rrëzua në Kuvend me votat e mazhorancës socialiste.
Ndërkohë, ndaj Ballukut vijojnë edhe hetime të tjera, përfshirë një hetim pasuror.



