Sipas të dhënave të Eurostat, shqiptarët kanë rritur ndjeshëm investimet në pasuri të paluajtshme jashtë vendit, duke arritur një nivel rekord në vitin 2023.

Stoku i investimeve që rezidentët shqiptarë zotërojnë në prona jashtë kufijve ka arritur në 766.5 milionë euro në fund të vitit 2023. Rritja ka qenë e menjëhershme, pasi deri në vitin 2022 ky stok ishte vetëm 6.5 milionë euro.

Vetëm gjatë vitit 2023, fluksi i investimeve ka qenë rreth 760 milionë euro, një vlerë që përfaqëson rreth 2.5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto të vendit. Ky zhvillim sinjalizon një zhvendosje të konsiderueshme të kapitalit vendas drejt tregjeve të huaja.

Ekspertët e tregut e lidhin këtë prirje me disa faktorë kryesorë: rritjen e fortë të çmimeve të pronave në Shqipëri, veçanërisht në Tiranë, si dhe me mundësitë më të qëndrueshme dhe të sigurta që ofrojnë tregjet e huaja. Destinacionet më të preferuara mbeten vende si Greqia, Italia dhe Spanja.

Në shumë raste, çmimet e apartamenteve në Tiranë janë krahasuar me ato në qytete të Mesdheut, duke bërë që investitorët të zgjedhin tregjet e huaja për kthim më të mirë nga qiraja dhe për siguri më të lartë ligjore.

Rritja e investimeve jashtë vendit lidhet gjithashtu edhe me përmirësimin e raportimit dhe metodologjisë nga institucionet financiare në vend, por njëkohësisht ngre pikëpyetje mbi burimin e kapitalit dhe arsyet e kësaj daljeje masive të likuiditetit.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu