TIRANË – Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, bëri thirrje për ndryshime të menjëhershme në Kodin Penal pas tragjedisë së rëndë në Durrës, ku humbën jetën dy fëmijë.

Duke folur nga foltorja e Kuvendit, Balla theksoi se ligjet aktuale nuk janë të mjaftueshme për të parandaluar ngjarje të tilla, ndërsa masat ekzistuese, si heqja e pikëve në patentë, nuk janë proporcionale me pasojat e rënda që shkaktohen.

Ai kërkoi reagim të shpejtë institucional dhe rishikim të legjislacionit, duke marrë si referencë edhe praktikat ndërkombëtare për trajtimin më të ashpër të rasteve të ngjashme.

Një thirrje e drejtpërdrejtë iu drejtua Policisë së Shtetit për të ndërhyrë ndaj personave problematikë në komunitet, të cilët i cilësoi si “të fortët e lagjeve”.

“Këta individë duhet të monitorohen vazhdimisht dhe nuk duhet të kenë akses në mjete që rrezikojnë jetën e qytetarëve”, u shpreh Balla.

Në vijim, ai mbrojti reformën në drejtësi, duke e cilësuar si një nga sukseset më të mëdha institucionale, pasi sipas tij për herë të parë individë nga të gjitha krahët politikë po përballen me ligjin.

Balla kërkoi ndalimin e sulmeve ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve, duke theksuar se sistemi i ri garanton pavarësi dhe i ka dhënë fund ndërhyrjes politike në drejtësi.

Ai u ndal edhe te funksionimi i Kuvendit, duke kërkuar që ministrat të raportojnë rregullisht dhe të mos shmangen nga përgjegjësia për t’u përgjigjur përpara deputetëve.

Sipas tij, Kuvendi duhet të ketë rol aktiv në monitorimin e procesit të integrimit europian, ndërsa çdo hap negociues duhet të jetë transparent.

Në të njëjtën kohë, Balla vlerësoi ministrin e Jashtëm Ferit Hoxha, duke e cilësuar si një nga diplomatët më të mirë të vendit dhe kritikoi sulmet personale ndaj tij.

Në fund, ai kundërshtoi pretendimet e opozitës për dështimin e integrimit, duke theksuar se Shqipëria është në një fazë të avancuar dhe në disa aspekte përpara Serbisë në rrugën drejt Bashkimit Europian.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu