Drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Ami Kozeli, ka bërë të ditur se mbikalimi i Rinasit pritet të demontohet në kuadër të projektit për zgjerimin e aksit Tiranë-Durrës.

Sipas tij, ky ndërhyrje është e nevojshme për të unifikuar gjerësinë e rrugës, pasi aktualisht segmenti kalon nga tre në dy korsi në këtë pikë, duke krijuar ngushtim dhe problematika në qarkullim.

“Duhet demontuar sepse përkon me zgjerimin e aksit rrugor, që të shkojmë me të njëjtën gjerësi. Aktualisht kalojmë nga 3 korsi në 2 korsi”, u shpreh ai.

Për shkak të punimeve, pritet edhe devijimi i trafikut. Sipas planit, për të shkuar drejt Rinasit nga Tirana do të jenë dy alternativa: rruga ekzistuese pa pagesë përmes një rampe provizore dhe rruga me pagesë.

Ndërkohë, për lëvizjen nga Durrësi drejt Tiranës, rruga pa pagesë do të kalojë përmes Vorës.

Autoritetet bëjnë të ditur se do të ndërtohet një mbikalim i ri me gjatësi rreth 94 metra, ndërsa punimet pritet të zgjasin disa muaj, edhe pse nuk është dhënë një afat i saktë për përfundimin e tyre.

ARRSH u bën thirrje drejtuesve të mjeteve të respektojnë sinjalistikën dhe të tregojnë kujdes gjatë qarkullimit në këtë segment rrugor, për të shmangur vonesa dhe incidente.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu