Çmimet e naftës kanë rënë në tregjet ndërkombëtare, pas raportimeve se Irani i ka dërguar një përgjigje SHBA-së për draftin e një marrëveshjeje paqeje, përmes ndërmjetësve në Pakistan.

Sipas të dhënave të tregut, nafta amerikane ra me mbi 2%, duke zbritur në rreth 102.45 dollarë për fuçi, ndërsa referenca ndërkombëtare Brent shënoi një rënie më të lehtë, duke u tregtuar rreth 109.95 dollarë.

Lëvizja vjen në një moment kur tensionet mes Uashingtonit dhe Teheranit mbeten të larta, pavarësisht një armëpushimi të arritur tre javë më parë. Negociatat për një marrëveshje përfundimtare vijojnë të mbeten të brishta, ndërsa komunikimi mes palëve po zhvillohet përmes ndërmjetësve.

Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump përballet me një afat 60-ditor nga Kongresi për operacionet ushtarake ndaj Iranit, sipas ligjit për kompetencat e luftës. Administrata amerikane argumenton se armëpushimi i arritur ka “përfunduar armiqësitë”, duke shmangur kështu nevojën për miratim të ri nga Kongresi.

Megjithatë, situata mbetet e tensionuar. SHBA ka paralajmëruar vijimin e bllokadës ndaj Iranit, ndërsa Teherani ka kushtëzuar rihapjen e ngushticës së Hormuzit me heqjen e kësaj bllokade.

Ngushtica e Hormuzit mbetet një pikë kyçe për furnizimin global me energji, pasi përmes saj kalon rreth 20% e naftës botërore. Çdo zhvillim në këtë zonë reflektohet menjëherë në çmimet ndërkombëtare dhe në presionet inflacioniste globale.

Pavarësisht rënies së fundit të çmimeve, tregjet mbeten të ndjeshme ndaj çdo sinjali nga fronti diplomatik apo ushtarak mes SHBA-së dhe Iranit.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu