Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka kërcënuar se mund të tërheqë trupat amerikane nga Italia dhe Spanja, në kuadër të një rishikimi të pranisë ushtarake amerikane në Evropë.

Deklarata vjen pas kritikave të forta që dy vendet kanë bërë ndaj fushatës ushtarake të SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit. Trump u shpreh se Italia “nuk ka qenë aspak ndihmuese”, ndërsa Spanjën e cilësoi si “të tmerrshme”.

Kërcënimi ndaj Romës dhe Madridit vjen vetëm një ditë pasi Trump paralajmëroi uljen e trupave edhe në Gjermani, duke e lidhur këtë me qëndrimet kritike të kancelarit Friedrich Merz ndaj politikave amerikane.

Sipas mediave ndërkombëtare, tensionet janë përshkallëzuar edhe për shkak të mosangazhimit të disa aleatëve të NATO-s në operacionet për sigurimin e ngushticës së Hormuzit, një korridor kyç për tregtinë globale.

Italia kishte mbajtur një qëndrim të balancuar deri në fund të marsit, kur refuzoi përdorimin e një baze ajrore në Sicili për avionët amerikanë që transportonin armë drejt konfliktit me Iranin. Ndërkohë, Spanja ka qenë ndër kritikët më të zëshëm të luftës që në fillim.

Ministri italian i Mbrojtjes, Guido Crosetto, reagoi duke thënë se nuk e kupton arsyen e akuzave të Trump dhe se Italia ka qenë e gatshme të kontribuojë në misione për mbrojtjen e transportit detar.

Aktualisht, në Spanjë ndodhen rreth 3.200 trupa amerikane, kryesisht në bazën detare të Rota-s dhe atë ajrore të Morón-it, ndërsa në Itali numri i tyre arrin deri në 15 mijë në disa baza strategjike.

Kërcënimet e fundit të Trump pritet të shtojnë tensionet mes SHBA-së dhe aleatëve evropianë, në një moment kur marrëdhëniet brenda NATO-s janë vënë në provë nga zhvillimet e fundit gjeopolitike.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu