
Tre kongresmenë amerikanë kanë paraqitur një rezolutë në Dhomën e Përfaqësuesve për të mbështetur anëtarësimin e Kosovës në NATO, duke e cilësuar këtë hap si të rëndësishëm për sigurinë në Evropën Juglindore.
Rezoluta është dorëzuar nga Keith Self, Ritchie Torres dhe Mike Lawler dhe gëzon mbështetje dypartiake. Në dokument theksohet se Kosova përmbush disa nga kriteret kyçe, si qeverisja demokratike, kontrolli civil mbi forcat e sigurisë dhe bashkëjetesa multietnike.
Sipas kongresmenëve, përfshirja e Kosovës në NATO do të shërbente si kundërpeshë ndaj përpjekjeve destabilizuese në rajon dhe do të ndihmonte në parandalimin e krizave të reja në Ballkan.
Megjithatë, anëtarësimi i Kosovës në aleancë mbetet i vështirë, pasi kërkon miratimin unanim të të gjitha vendeve anëtare. Aktualisht, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja nuk e kanë njohur ende pavarësinë e Kosovës.
Rezoluta u bën thirrje Shteteve të Bashkuara që të nxisin këto vende të ndryshojnë qëndrim, në mënyrë që të hapet rruga për integrimin e Kosovës në NATO.
Nisma është mirëpritur nga zyrtarët në Prishtinë. Ushtruesja e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, falënderoi kongresmenët për mbështetjen, ndërsa ambasadori i Kosovës në SHBA, Ilir Dugolli, e cilësoi këtë si një hap të rëndësishëm drejt integrimit euroatlantik.
Nga ana tjetër, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka reaguar kundër kësaj nisme, duke deklaruar se Beogradi do të përpiqet ta pengojë anëtarësimin e Kosovës në NATO.
Kosova e ka anëtarësimin në NATO një nga objektivat strategjikë që prej shpalljes së pavarësisë në vitin 2008 dhe aktualisht është në procesin e transformimit të Forcës së Sigurisë në ushtri të plotë deri në vitin 2028.






