
Zhvillimet e fundit në sistemin penitenciar kanë ngritur pikëpyetje të forta, pasi krahas kontrolleve të shumta në burgje, raportohet për lehtësim të regjimit dhe transferime për disa emra të njohur të botës së krimit shkruan syri.net.
Sipas informacioneve, pas ndryshimeve në drejtimin e sistemit të burgjeve, janë konstatuar lëvizje të rëndësishme, përfshirë transferimin e Plaurent Dervishajt në burgun e Peqinit dhe zhvendosjen e Lulzim Berishës për disa ditë në një ambient të veçantë.
Ndërkohë, për Ramazan Rrajën raportohet ndryshim i regjimit të sigurisë, nga i lartë në të zakonshëm, duke përfituar kushte më të lehta. Po ashtu, edhe Durim Bami është transferuar nga një regjim i sigurisë së lartë drejt një burgu të sigurisë së zakonshme.
Këto zhvillime vijnë në një kohë kur autoritetet raportojnë për kontrolle të shpeshta në burgje, ku janë sekuestruar sende të ndaluara si telefona, mjete të improvizuara dhe pajisje të tjera.
Situata ka ngritur shqetësime për standardet e trajtimit dhe barazinë në sistemin penitenciar, ndërsa mbetet për t’u parë nëse do të ketë reagim institucional për këto ndryshime.






