
Kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, ka reaguar ashpër ndaj rikthimit në fushatë të ish zv.kryeministres Belinda Balluku, duke kërkuar publikimin e menjëhershëm të dosjes me prova që sipas tij ndodhet në duart e disa deputetëve.
Në një reagim publik, Shehaj u shpreh se është e papranueshme që Balluku të vijojë aktivitetin politik “sikur asgjë të mos kishte ndodhur”, ndërsa u bëri thirrje deputetëve që disponojnë dokumentet e hetimit të SPAK t’i bëjnë ato publike.
“Deputetët që kanë në dorë 16 mijë faqet, t’i bëjnë publike ose t’i bashkohen asaj në fushatë. Nuk mund të lejojmë këtë estradë!”, deklaroi ai.
Shehaj ironizoi edhe deklaratat e fundit të Ballukut, duke theksuar kontrastin mes mesazheve të saj dhe realitetit, ndërsa e akuzoi se ka ndikuar negativisht në procesin e integrimit europian të vendit.
Debati vjen në një klimë të tensionuar politike, ku akuzat për korrupsion dhe kërkesat për transparencë mbeten në qendër të përplasjes mes palëve.






