
Seanca plenare e kësaj të enjteje në Kuvendin e Shqipërisë është shoqëruar me debate të forta, pasi mazhoranca rrëzoi kërkesat e Partisë Demokratike dhe Partisë Mundësia për interpelancë me ministrin e Bujqësisë lidhur me fondet e IPARD.
Në nisje të punimeve, Niko Peleshi bëri të ditur se Konferenca e Kryetarëve kishte miratuar projekt-kalendarin dhe bashkimin e interpelancave, ndërsa theksoi se çështja e IPARD është aktualisht nën hetim.
Vendimi u kundërshtua nga deputetët e opozitës. Xhelal Mziu e cilësoi të padrejtë anulimin e interpelancës, duke theksuar se Parlamenti ka detyrimin të kërkojë llogari nga ministrat, pavarësisht hetimeve të SPAK.
Sipas tij, sektori i bujqësisë është në regres dhe përballet me mungesë mbështetjeje financiare, ndërsa përmendi edhe problematikat me fondet e BE dhe dëmet e shkaktuara nga përmbytjet.
Në të njëjtën linjë reagoi edhe deputeti i Partisë Mundësia, Erald Kapri, i cili u shpreh se fakti që një çështje është nën hetim nuk e përjashton përgjegjësinë e ministrit për të dhënë llogari në Kuvend.
Kapri kritikoi gjithashtu anulimin e interpelancave të tjera, duke argumentuar se kjo praktikë rrezikon të kufizojë rolin e Parlamentit në kontrollin e qeverisë.
Debati për fondet IPARD dhe rolin e Kuvendit pritet të vijojë edhe në seancat e ardhshme.






