Kryeministri Edi Rama ka dhënë një mesazh të fortë nga Forumi Ekonomik i Delphit në Greqi, duke deklaruar se Shqipëria dhe Greqia synojnë të mbyllin të gjitha çështjet e hapura mes dy vendeve brenda këtij viti.

Në një bisedë me kryeredaktorin e “Kathimerini”, Alexis Papahelas, Rama theksoi se marrëdhëniet mes dy vendeve janë në një fazë të re dhe se ekziston një vullnet i përbashkët për të arritur zgjidhje të qëndrueshme.

Sipas tij, të dyja palët janë të angazhuara për të shmangur tensionet dhe për të avancuar drejt një marrëveshjeje përfundimtare, përfshirë edhe çështje të ndjeshme si kufiri detar, ligji i luftës dhe të drejtat e pakicave.

Rama konfirmoi se tashmë ekziston dakordësi për ta çuar çështjen e kufirit detar në Gjykatën Ndërkombëtare, ndërsa shtoi se ambicia është që deri në fund të vitit të ketë një përmbyllje të të gjitha problematikave.

Në të njëjtën kohë, ai pranoi se çështja “Beleri” ka krijuar tensione të përkohshme, por theksoi se marrëdhënia me kryeministrin grek Kyriakos Mitsotakis mbetet e hapur dhe e sinqertë.

Në planin ekonomik, Rama nënvizoi rritjen e ndjeshme të ekonomisë shqiptare, duke përmendur trefishimin e Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe rritjen e turizmit në 12 milionë vizitorë në vit.

Ai foli edhe për sfidat, duke pranuar problemet me ekonominë informale dhe sundimin e ligjit, por theksoi se po ndërmerren masa konkrete, përfshirë përdorimin e inteligjencës artificiale për kontrollin fiskal.

Në fund, Rama u ndal edhe te bashkëpunimi energjetik me Greqinë dhe roli i Shqipërisë në rajon, duke theksuar se vendi ka potencial të shndërrohet në një nyje të rëndësishme për energjinë në Evropë.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu