
Kryeministri Edi Rama ka komentuar debatet e fundit me Greqinë, duke theksuar se “tendencat nacionaliste mund të shfaqen shpejt dhe shpesh reflektojnë mungesë pjekurie”.
Në një intervistë për Kathimerini, ai u ndal edhe te polemikat e krijuara pas deklaratës së tij në samitin e Abu Dabit për prejardhjen e grekëve, duke sqaruar se komentet kishin karakter provokues dhe humoristik, por u interpretuan në mënyrë të ekzagjeruar.
Rama hodhi poshtë edhe pretendimet se ka përfituar bursë nga Greqia për studime në Harvard. “Nuk kam marrë kurrë bursë për në Harvard dhe nuk kam studiuar kurrë atje”, u shpreh ai, duke i cilësuar këto si dezinformata.
Sa i përket çështjes së pronave në Himarë, kreu i qeverisë theksoi se procesi i dhënies së titujve të pronësisë po avancon dhe po trajtohen njësoj si qytetarët shqiptarë ashtu edhe ata me origjinë greke.
Ai nënvizoi se Shqipëria po vijon përpjekjet për të konsoliduar kadastrën dhe për të zgjidhur problemet e trashëguara ndër vite, ndërsa vlerësoi zhvillimin e turizmit në zonat bregdetare, përfshirë Himarën.
Në intervistë, Rama foli edhe për marrëdhëniet me Greqinë, duke shprehur vlerësim për zhvillimet ekonomike të vendit fqinj dhe duke theksuar se Shqipëria ka ende shumë për të mësuar.






