Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Erjona Ismaili, prezantoi në Kuvend projektligjin për ratifikimin e Protokollit Shtesë 7 të marrëveshjes CEFTA, duke e cilësuar atë si një hap kyç për forcimin e rregullave tregtare në rajon.

Gjatë fjalës së saj, Ismaili theksoi se marrëveshja CEFTA mbetet një instrument i rëndësishëm për integrimin ekonomik dhe rritjen e bashkëpunimit mes vendeve të Evropës Juglindore. Ajo solli në vëmendje edhe të dhënat tregtare për vitin 2025, ku megjithëse bilanci mbetet pozitiv, eksportet shqiptare drejt vendeve të CEFTA kanë rënë me 6.5%, ndërsa importet janë rritur me 8.44%.

Sipas saj, protokolli i ri vendos një sistem modern dhe të detyrueshëm për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, përmes një paneli të pavarur ekspertësh ndërkombëtarë. Ky mekanizëm synon të reduktojë pengesat jotarifore, të rrisë sigurinë për bizneset dhe të garantojë një mjedis më të parashikueshëm për tregtinë dhe investimet.

Ismaili nënvizoi se përfitimet do të jenë konkrete për eksportuesit dhe industrinë vendase, duke ulur barrierat në kufi dhe duke forcuar mbrojtjen ndaj praktikave të padrejta tregtare. Ajo shtoi se protokolli nuk sjell kosto të drejtpërdrejta për buxhetin e shtetit, ndërsa shpenzimet lindin vetëm në rast të proceseve të veçanta të mosmarrëveshjeve.

Në përfundim, ministrja u bëri thirrje deputetëve që ta votojnë unanimisht projektligjin, duke e konsideruar atë si një hap strategjik për forcimin e tregut rajonal dhe afrimin me standardet ndërkombëtare të tregtisë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu