
Katër persona janë arrestuar për zjarrin që përfshiu pallatin 12-katësh në kompleksin “Arlis” në Tiranë, ku u shkatërruan rreth 30 apartamente.
Në pranga kanë rënë administratori i pallatit, inxhinieri i kompanisë ndërtuese, kontraktori i fasadës dhe menaxherja e marketit në katin e parë, ku dyshohet se zjarri nisi në disa mbetje kartoni të lëna jashtë. Ndërkohë, pronari i kompanisë “Arlis”, Armand Lilo, si dhe kontraktori i ndërtimit po hetohen në gjendje të lirë.
Sipas hetimeve paraprake, flakët kanë shpërthyer pranë një marketi, ndërsa kamerat e sigurisë nuk kanë identifikuar momentin e saktë të ndezjes. Dyshohet se zjarri mund të jetë shkaktuar nga një cigare e pashuar ose nga ndërhyrje e paqëllimshme.
Ngjarja shkaktoi dëme të mëdha materiale, ndërsa banorët përjetuan momente dramatike, duke humbur banesat dhe investimet e tyre. Disa prej tyre akuzojnë cilësinë e dobët të materialeve të përdorura në fasadë, duke theksuar se zjarri u përhap me shpejtësi të madhe.
Nga zjarri mbetën të lënduar 11 persona, mes tyre banorë dhe zjarrfikës, të cilët u trajtuan për asfiksi dhe djegie të lehta.
Hetimet vijojnë për të përcaktuar shkakun e saktë të zjarrit dhe përgjegjësitë përkatëse.






