Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka mohuar zërat për një kandidim të tij për President të Kosovës, duke i cilësuar si “spekulime” lajmet që kanë qarkulluar së fundmi.

Ai bëri të ditur se në takimin me kryeministrin Albin Kurti nuk është diskutuar për emra konkretë, aq më pak për kandidaturën e tij personale. Sipas Abdixhikut, bisedimet janë përqendruar vetëm te propozimet ekzistuese të Lëvizjes Vetëvendosje.

“Ne nuk kemi folur për emra. LDK-ja nuk mund të mbështesë një skenar ku të gjitha pozicionet shtetërore i takojnë një partie të vetme”, deklaroi ai.

Abdixhiku theksoi se prioriteti i tij mbetet bashkimi i spektrit të djathtë dhe forcimi i LDK-së, dhe jo ambicia për poste shtetërore.

Ndërkohë, ai konfirmoi se ka zhvilluar një takim me Bedri Hamzën për të diskutuar qëndrimin e PDK-së, ndërsa bëri të ditur se Ramush Haradinaj ka refuzuar një takim të tillë.

Sipas tij, dialogu mes forcave politike është i domosdoshëm për arritjen e konsensusit në çështje të rëndësishme shtetërore, përfshirë edhe zgjedhjen e Presidentit.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu