
1 Prilli, i njohur si dita e gënjeshtrave, është një nga traditat më të përhapura në botë, ku njerëzit ndajnë shaka, histori të sajuara dhe lajme të rreme për argëtim.
Edhe pse origjina e saj mbetet e paqartë, ekzistojnë disa teori. Njëra prej tyre e lidh me fillimin e sezonit të peshkimit në pranverë, kur peshkatarët shpesh ktheheshin pa gjë dhe bëheshin objekt talljeje.
Një tjetër teori e vendos zanafillën në shekullin XVI, pas vendosjes së kalendarit gregorian nga Papa Gregori XIII, kur Viti i Ri u zhvendos nga fundi i marsit në 1 janar. Ata që vazhdonin të festonin në prill, sipas disa studiuesve, bëheshin objekt shakaje.
Ndër vite, shumë “gënjeshtra” të 1 Prillit janë bërë të famshme. Nga lajmi për përbindëshin e Loch Ness, te pretendimet për ndryshimin e gravitetit apo shpikje të rreme teknologjike.
Sot, dita e gënjeshtrave është kthyer në një fenomen global, ku kufiri mes humorit dhe dezinformimit shpesh bëhet i paqartë, sidomos në epokën e rrjeteve sociale.






