
Partia Socialiste pritet të nisë një tur kombëtar të quajtur “Punët për Shqipërinë”, i cili do të shtrihet në të gjithë vendin dhe do të zgjasë deri më 12 qershor, kur kjo forcë politike shënon 35-vjetorin e themelimit.
Vendimi është bërë i ditur gjatë një mbledhjeje me dyer të mbyllura të zhvilluar në Pallatin e Brigadave, ku kryeministri Edi Rama ka mbledhur Grupin Parlamentar dhe kabinetin qeveritar.
Sipas burimeve, në këtë tur do të përfshihen deputetët, ministrat dhe drejtuesit politikë të qarqeve, të cilët do të zhvillojnë takime të përjavshme me qytetarët mbi tema të ndryshme. Nisma do të nisë me çështjen e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, ndërsa më pas do të trajtohen edhe fusha të tjera të rëndësishme.
Paralelisht me këtë tur, kryetarët e bashkive do të organizojnë takime me qytetarët për të raportuar mbi premtimet e bëra dhe nivelin e realizimit të tyre, duke synuar një llogaridhënie më të drejtpërdrejtë përpara publikut.
Nisma vjen në një moment të rëndësishëm politik, teksa maxhoranca synon të forcojë komunikimin me qytetarët dhe të theksojë prioritetet e saj në prag të zhvillimeve të ardhshme politike në vend.



