Lufta në Lindjen e Mesme po hyn në një fazë të re përshkallëzimi, pasi rebelët Houthi të mbështetur nga Irani kanë lëshuar për herë të parë raketa drejt Izraelit që nga nisja e konfliktit.

Grupi nga Jemeni deklaroi se ka goditur “objektiva ushtarake sensitive”, ndërsa Izraeli konfirmoi se një raketë e ardhur nga Jemeni është interceptuar.

Ky zhvillim rrit ndjeshëm rrezikun e hapjes së një fronti të ri lufte, duke e shtrirë konfliktin përtej Iranit dhe Izraelit, drejt Detit të Kuq dhe rajonit të Gjirit.

Në të njëjtën kohë, mediat amerikane raportojnë se të paktën 12 ushtarë amerikanë janë plagosur pas një sulmi iranian ndaj bazës ajrore Prince Sultan në Arabinë Saudite.

Sulmet nuk janë ndalur as në Iran. Kryeqyteti Teheran është goditur gjatë natës nga bombardime intensive, ndërsa autoritetet iraniane akuzojnë Izraelin për goditje ndaj objekteve bërthamore.

Ndërkohë, situata humanitare në rajon po përkeqësohet. Në Liban, mbi një milion persona janë zhvendosur pas sulmeve izraelite dhe përplasjeve me Hezbollahun.

Në planin diplomatik, Shtetet e Bashkuara shprehen optimiste për mundësinë e bisedimeve me Iranin brenda kësaj jave, ndërsa Pakistani po përpiqet të ndërmjetësojë dialog mes palëve dhe do të presë takime rajonale për uljen e tensioneve.

Megjithatë, ndërhyrja e Houthive dhe rritja e sulmeve në disa fronte tregojnë se lufta po zgjerohet dhe rrezikon të përfshijë gjithë rajonin, me pasoja të paparashikueshme për sigurinë globale dhe tregjet energjetike.

.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu