
Kosova hyn në një fazë vendimtare politike pasi Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar dekretin e presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit, duke i dhënë deputetëve një afat prej 34 ditësh për zgjedhjen e presidentit të ri. Nëse kjo nuk ndodh, vendi do të shkojë automatikisht në zgjedhje të parakohshme, që sipas afateve mund të mbahen më së largu deri më 7 qershor.
Sipas aktgjykimit, dekreti i 6 marsit “nuk prodhon asnjë efekt juridik”, ndërsa Kuvendi ka tashmë një afat të qartë për të përfunduar procedurën e zgjedhjes së kreut të shtetit. Në të kundërt, shpërndarja e Kuvendit ndodh automatikisht dhe zgjedhjet duhet të organizohen brenda 45 ditësh.
Vendimi i Kushtetueses vjen pas krizës së krijuar nga dështimi për të zgjedhur presidentin në seancën e 5 marsit, e cila u bojkotua nga opozita dhe nuk arriti kuorumin e nevojshëm për votim.
Nga Presidenca është theksuar se aktgjykimi nuk konstaton asnjë shkelje kushtetuese nga ana e Vjosa Osmanit, ndërsa përgjegjësia për situatën aktuale i atribuohet mungesës së konsensusit politik në Kuvend.
Ndërkohë, nga ana tjetër, përfaqësues të shumicës parlamentare e cilësojnë dekretin si antikushtetues dhe kërkojnë reflektim për të shmangur një krizë të re politike.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese i jep tashmë Kuvendit një ultimatum të qartë: ose të zgjedhë presidentin brenda 34 ditësh, ose vendi do të shkojë drejt zgjedhjeve të parakohshme.






