
Ministri për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, ka reaguar pas sulmit kibernetik ndaj Postës Shqiptare, duke garantuar se deri më tani nuk ka indicie për të dhëna të enkriptuara apo të komprometuara. Sipas tij, pavarësisht incidentit, shërbimet në institucion vijojnë pa ndërprerje.
Demo bëri të ditur se aktualisht është duke u zhvilluar një analizë e plotë nga Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, AKSHI dhe ekspertët e Postës Shqiptare, ndërsa pritet një raport përfundimtar mbi situatën.
“Në momentin që flasim është duke u zhvilluar një analizë nga autoriteti i Kibernetikës, nga AKSHI dhe ekspertët e postës shqiptare. Shërbimet vazhdojnë normalisht. Nuk ka të dhëna që ka informacione të enkriptuara, por duhet të presim raportin përfundimtar”, deklaroi ministri.
Ai theksoi gjithashtu se institucionet shqiptare kanë bërë progres në forcimin e sigurisë kibernetike, megjithëse jo të gjitha janë të përfshira ende në sistemin e mbrojtjes së centralizuar.
Sulmi ndaj Postës Shqiptare vjen pas një serie incidentesh kibernetike në vend, ku më herët është pretenduar se grupi “Homeland Justice” ka ndërhyrë edhe në sisteme të tjera shtetërore.






