Policia e Shtetit ka bërë bilancin e protestës së opozitës të zhvilluar më 22 mars në Tiranë, ku janë identifikuar 24 persona të përfshirë në akte të dhunshme.

Sipas njoftimit zyrtar, 15 shtetas janë arrestuar në flagrancë, ndërsa 9 të tjerë janë proceduar penalisht, mes tyre edhe 5 të mitur.

Gjatë tubimit, një pjesë e protestuesve kanë kundërshtuar dhe goditur efektivët e policisë, si dhe kanë hedhur lëndë djegëse (molotovë) në drejtim të tyre dhe të institucioneve. Si pasojë e përplasjeve, 6 punonjës policie mbetën të lënduar, por ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Po ashtu, janë shkaktuar dëme materiale, ku janë djegur kosha mbeturinash dhe një automjet policie, si dhe janë dëmtuar disa godina.

Në vijim të hetimeve, materialet janë referuar në Prokurorinë e Tiranës, ndërsa procedim penal ka nisur edhe për një deputet, i dyshuar për “organizim dhe pjesëmarrje në grumbullime të paligjshme” dhe “shtyrje të të miturve në krim”.

Grupi hetimor vijon punën për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në incidentet e djeshme.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu