
Italia i drejtohet kutive të votimit për referendumin kushtetues mbi reformën në drejtësi, një proces që synon ndryshime të rëndësishme në sistemin gjyqësor. Qendrat e votimit janë hapur më 22 mars nga ora 07:00 deri në 23:00 dhe vijojnë edhe më 23 mars deri në orën 15:00.
Ndryshe nga referendumet e zakonshme, në këtë rast nuk kërkohet prag pjesëmarrjeje. Kjo do të thotë se rezultati është i vlefshëm pavarësisht sa qytetarë marrin pjesë në votim. Reforma miratohet nëse votat “Po” janë më shumë se “Jo”, ose rrëzohet në rastin e kundërt.
Tre janë shtyllat kryesore të reformës:
- Ndarja e karrierave mes prokurorëve dhe gjyqtarëve
- Ndarja në dy pjesë e Këshillit të Lartë të Magjistraturës
- Krijimi i një gjykate të lartë disiplinore për ndëshkimin e magjistratëve
Reforma synon riorganizimin e sistemit të drejtësisë dhe rritjen e përgjegjshmërisë në gjyqësor, ndërsa rezultati i votimit pritet të ketë ndikim të rëndësishëm në funksionimin e institucioneve në Itali.



