
Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar masa të menjëhershme për frenimin e rritjes së çmimit të karburanteve, nëse nafta në treg do të kalojë pragun e 220 lekëve për litër.
Gjatë fjalës në Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste, Rama deklaroi se qeveria ka vendosur një mekanizëm të ri ndërhyrjeje: për çdo ditë që çmimi tejkalon këtë nivel, do të aplikohet ulje me 20% e akcizës së naftës.
“Kriza globale po na godet, por nuk do lëmë askënd vetëm”
Kreu i qeverisë e lidhi rritjen e çmimeve me situatën ndërkombëtare, veçanërisht konfliktin mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit, që ka goditur tregjet globale të energjisë.
“Çdo krizë, sado larg të jetë, ndikon edhe tek ne. Ajo që po ndodh në Lindjen e Mesme po reflektohet drejtpërdrejt në çmimin e naftës dhe benzinës”, u shpreh Rama.
Ai theksoi se Bordi i Transparencës është rikthyer në funksion për të monitoruar tregun dhe për të shmangur abuzimet me çmimet.
Qeveria: Ka hapësirë për ndërhyrje financiare
Rama u shpreh se Shqipëria ndodhet në një situatë të qëndrueshme fiskale, me borxh dhe deficit të kontrolluar, çka sipas tij i jep mundësi qeverisë të ndërhyjë për të mbrojtur qytetarët.
“Ne kemi hapësirë që të mos lëmë askënd vetëm, sidomos ata që kanë më shumë nevojë”, deklaroi ai.
Nafta në rritje, presion mbi ekonominë
Çmimet e karburanteve në vend kanë njohur rritje të fortë ditët e fundit, duke arritur deri në nivele rekord, ndërsa pritshmëritë janë për një rritje të mëtejshme për shkak të tensioneve në tregjet ndërkombëtare.
Vendimi për uljen e akcizës shihet si një ndërhyrje direkte për të zbutur efektet e krizës mbi konsumatorët dhe bizneset.



