
Dhjetëra qytetarë grekë dhe kafshët e tyre shtëpiake janë evakuuar me sukses nga Lindja e Mesme drejt Athinës, në një operacion të veçantë të organizuar nga qeveria greke mes përshkallëzimit të konfliktit SHBA–Izrael–Iran.
Fluturimi i realizuar nga kompania Aegean nga Abu Dhabi transportoi 101 persona dhe 45 kafshë shtëpiake, në një mision që u përshkrua si aksion humanitar për njerëzit dhe kafshët.
Autoritetet greke theksuan se suksesi i këtij operacioni nuk do të ishte i mundur pa bashkëpunimin e ngushtë mes institucioneve dhe shkëmbimin e vazhdueshëm të informacionit në kohë reale, mes ministrive të brendshme, të jashtme dhe strukturave ndërkombëtare.
“Për disa ditë kemi punuar pa ndërprerje, në koordinim të plotë, që njerëzit dhe kafshët të kthehen të sigurt në shtëpi”, u shpreh zyrtari për mbrojtjen e kafshëve, duke nënvizuar rëndësinë e reagimit të shpejtë dhe komunikimit institucional.
Në aeroportin e Athinës u regjistruan skena emocionale, teksa kafshët dolën nga kafazet e transportit dhe u ribashkuan me pronarët e tyre. Shumë prej tyre kishin mbetur të bllokuar për shkak të mbylljes së hapësirave ajrore dhe anulimit masiv të fluturimeve në rajon.
Operacioni vjen në një moment kur trafiku ajror në Lindjen e Mesme është goditur rëndë nga tensionet ushtarake, duke lënë mijëra persona të bllokuar.
Ky rast shihet si një shembull i qartë se në situata krize, koordinimi ndërinstitucional dhe shkëmbimi i informacionit janë vendimtarë për shpëtimin dhe sigurinë e qytetarëve.



