
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi nga samiti i Partisë Popullore Europiane (PPE) se mbështetja ndërkombëtare për opozitën shqiptare është në rritje, ndërsa sipas tij po shtohen edhe masat ndëshkuese ndaj qeverisë.
Në një deklaratë për mediat, Berisha bëri me dije se në samit morën pjesë drejtues shtetesh, qeverish dhe partish nga vendet anëtare të BE dhe ato në proces integrimi, ku u diskutuan çështje kyçe si kriza energjetike, lufta në Lindjen e Mesme dhe situata në Ukrainë.
Ai theksoi se PPE ka rakorduar qëndrimet për mbështetje të fortë ndaj Ukrainës dhe për përballimin e pasojave të krizës energjetike, ndërsa gjatë takimeve ka paraqitur edhe zhvillimet në Shqipëri.
Sipas Berishës, situata në vend është “dramatike” dhe e largon Shqipërinë nga standardet europiane, duke e cilësuar vendin si një “autokraci elektorale”.
Kreu i PD shtoi se gjatë samitit ka gjetur mirëkuptim dhe mbështetje nga partnerët ndërkombëtarë, duke theksuar se “mbështetja për opozitën po shtohet, ndërsa masat ndëshkuese për qeverinë janë në rritje”.



