Një video e publikuar nga “Archeoplastica” po bën xhiron e rrjeteve sociale, pasi tregon dhjetëra topa futbolli të dalë në brigjet italiane, mes tyre edhe topa me shqiponjën shqiptare, por edhe me ngjyrat e flamurit të Kosovës.

Pamjet tregojnë topa të vjetër, të konsumuar nga uji dhe koha, të mbledhur ndër vite në plazhe të ndryshme. Mes tyre dallohen qartë simbolet kuqezi, por edhe topa me dizajn që lidhen me Kosovën, të cilët zakonisht shiten gjatë sezonit turistik në brigjet shqiptare.

Sipas autorëve të videos, shumë prej këtyre topave përfundojnë në det pas një goditjeje të gabuar gjatë lojës, duke u transportuar më pas nga rrymat detare.

“Një fëmijë vështirë se e braktis topin e tij, por ndonjëherë mjafton një goditje e gabuar dhe përfundon në ujë, në një lumë apo në det”, thuhet në përshkrim.

Por përtej aspektit kurioz, videoja sjell edhe një mesazh më të thellë. Në njëfarë mënyre, autorët meritojnë vlerësim, pasi nxjerrin në pah një realitet që shpesh ne e anashkalojmë: ndotjen e mjedisit.

Në fakt, siç theksohet edhe nga reagimet, “topi nuk na bie gjithmonë në det apo në lumë”, por shpesh mbetjet hidhen pa kriter, në natyrë, në pyje e male, duke krijuar një problem të vazhdueshëm mjedisor.

Videoja është shoqëruar edhe me komente të shumta nga përdoruesit, ku nuk mungojnë reagimet me humor dhe identifikim:

“Jemi gjithmonë në mes 😂😂”, shkruan një komentues, duke iu referuar pranisë së topave me simbole shqiptare mes dhjetëra të tjerëve.

Ndërsa të tjerë theksojnë me ironi dhe reflektim faktin se këto objekte tregojnë rrugëtimin e gjatë të mbetjeve plastike dhe ndikimin e tyre në mjedis.

Pamjet kanë ngjallur debat dhe reflektim, duke rikthyer në vëmendje jo vetëm lidhjen simbolike, por edhe nevojën për më shumë ndërgjegjësim për mbrojtjen e natyrës.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu