
Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, ka paralajmëruar se raketat balistike të reja të blera nga Serbia nga Kina përbëjnë kërcënim për sigurinë e rajonit.
Në një intervistë për A2 CNN, Maqedonci deklaroi se këto sisteme raketore kanë natyrë sulmuese dhe jo mbrojtëse, duke rritur rrezikun për vendet e Ballkanit.
Sipas tij, Serbia prej vitesh po vazhdon të blejë armë nga Rusia, Kina dhe vende të tjera, duke shtuar nivelin e militarizimit të saj.
“Serbia në vazhdimësi ka bërë blerje të sistemeve të ndryshme ushtarake nga Rusia dhe Kina, por edhe nga vende të tjera. Ne kemi informacion se këto blerje kanë nisur prej disa vitesh”, u shpreh Maqedonci.
“Kërcënim për gjithë rajonin”
Ministri kosovar theksoi se raketat e fundit të blera nga Serbia janë projektuar për sulme dhe jo për mbrojtje, çka sipas tij përbën rrezik për të gjithë rajonin.
Ai shtoi se kjo tregon një qasja hegjemoniste të Beogradit, që synon dominimin në aspektin ushtarak, ekonomik dhe politik në Ballkanin Perëndimor.
“Arsyetimi i Serbisë nuk qëndron”
Sipas Maqedoncit, pretendimet e presidentit serb Aleksandar Vuçiç se armatosja po bëhet për shkak të marrëveshjes trilaterale mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë, nuk janë të qëndrueshme.
Ai theksoi se blerjet e armëve nga Serbia kanë nisur shumë kohë përpara nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje, duke treguar se strategjia e militarizimit është e hershme.
Thirrje për reagim nga NATO
Maqedonci i bëri thirrje NATO-s që ta marrë seriozisht këtë zhvillim dhe të analizojë më thellë procesin e militarizimit të Serbisë.
“Është e rëndësishme që NATO të marrë seriozisht jo vetëm këtë blerje, por të gjithë procesin e militarizimit të Serbisë dhe të diskutojë për këtë çështje”, theksoi ai.
Sipas tij, kombinimi i blerjes së armëve të avancuara dhe retorikës politike ndaj fqinjëve duhet parë si një sinjal alarmi për stabilitetin në Ballkan.






