
Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha ka akuzuar institucionet kryesore të drejtësisë në vend se kanë heshtur përballë sulmeve që, sipas tij, kryeministri Edi Rama ka bërë ndaj sistemit të drejtësisë.
Në një deklaratë për mediat, Berisha tha se Prokurori i Përgjithshëm, Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ) dhe Inspektori i Lartë i Drejtësisë (ILD) nuk kanë bërë asnjë reagim publik në mbrojtje të institucioneve që përfaqësojnë.
Sipas tij, gjatë sulmeve që u bënë ndaj drejtësisë, këto institucione nuk kanë dalë me asnjë deklaratë.
“Prokurori i Përgjithshëm, KLGJ dhe ILD nuk guxuan të bëjnë qoftë dhe një reagim të vetëm në mbrojtje të institucioneve gjatë sulmeve që u bënë”, u shpreh Berisha.
Debat me gazetarët për reagimet
Gjatë deklaratës, gazetarët i përmendën Berishës reagimin e gjyqtarit të Apelit Engert Pëllumbi, i cili kishte kundërshtuar deklaratat e kryeministrit Rama ndaj gjyqësorit.
Berisha tha se nuk kishte dijeni për një reagim të tillë dhe se do ta verifikonte.
“Unë nuk kam parë asnjë reagim të tij, por do ta kontrolloj edhe njëherë”, tha ai.
Më tej, Berisha theksoi se edhe nëse ka pasur reagime nga shoqatat e gjyqtarëve apo prokurorëve, ato nuk mund të zëvendësojnë reagimin institucional.
“Shoqatat po, kanë reaguar, por ato nuk janë institucione zyrtare. Institucionet që duhet të flisnin janë institucionet e drejtësisë”, u shpreh ai.
Deklaratat e Berishës vijnë në një moment tensionesh të forta politike mes qeverisë dhe opozitës lidhur me marrëdhëniet mes politikës dhe sistemit të drejtësisë, veçanërisht pas debatit për çështjen e Belinda Ballukut dhe kërkesën e SPAK për arrestimin e saj.






