
Sekretariati i Etikës ka vendosur përjashtimin me nga 10 ditë nga Kuvendi të dy deputetëve të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi dhe Klevis Balliu.
Vendimi erdhi pas kërkesës së Partisë Socialiste për marrjen e masave disiplinore ndaj dy deputetëve demokratë, pas tensioneve dhe debateve të zhvilluara në seancën e fundit parlamentare.
Nga ana tjetër, Partia Demokratike kishte kërkuar përjashtimin me 60 ditë të Taulant Ballës, për shkak të fjalorit të përdorur ndaj deputetes demokrate Albana Vokshi gjatë debatit në Kuvend.
Sekretariati i Etikës vendosi të marrë masë disiplinore vetëm ndaj Bardhit dhe Balliut, duke i përjashtuar për 10 ditë nga aktiviteti parlamentar.



