
Kryeministri Edi Rama ka dalë në mbrojtje të ish-zv.kryeministres Belinda Balluku, pasi shumica socialiste vendosi të rrëzojë kërkesën e SPAK për autorizimin e arrestimit të saj.
Gjatë mbledhjes me deputetët socialistë, Rama deklaroi se Balluku do të vijojë aktivitetin politik dhe do të jetë sërish deputete dhe drejtuese politike në Qarkun e Fierit.
Kreu i qeverisë theksoi se nuk ka ndërmend ta shpallë as hero dhe as viktimë ish-ministren, ndërsa shtoi se çështja e saj duhet të ndiqet nga drejtësia.
“Uroj që hetimi i çështjes që ajo ka në SPAK të mos përfundojë në korrupsion. Gjithkush pas të 18-ave varet nga këmbët e veta, me ligj dhe Zot,” deklaroi Rama.
Ai kritikoi gjithashtu sulmet ndaj Ballukut në rrjetet sociale, duke thënë se ajo është kthyer në “shtrigën që duhet djegur në turrën e druve”, ndërsa sipas tij mbi ish-ministren janë ngritur “dallgë urrejtjeje”.
Rama shtoi se ndryshimet në sektorët e infrastrukturës dhe energjisë gjatë viteve të fundit nuk erdhën rastësisht, por si rezultat i votës së qytetarëve dhe punës së qeverisë, ku sipas tij ka pasur rol edhe Balluku.



