Partia Socialiste ka vendosur të rrëzojë kërkesën e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) për autorizimin e arrestimit të deputetes Belinda Balluku.

Vendimi u bë i ditur përmes raportit të paraqitur nga deputeti socialist Ulsi Manja, i cili theksoi se nuk ka vend për dhënien e autorizimit për zëvendësimin e masës aktuale të sigurisë ndaj Ballukut.

Sipas Manjës, kërkesa e SPAK synon zëvendësimin e masës së sigurisë “ndalim i daljes jashtë shtetit” me një masë më të rëndë, si “arrest në burg” ose “arrest në shtëpi”, por nga shqyrtimi i materialeve nuk rezulton një domosdoshmëri për një masë të tillë.

“Lufta kundër korrupsionit është një objektiv legjitim në një shtet të së drejtës, por këto objektiva duhet të realizohen në përputhje me parimet kushtetuese”, deklaroi Manja.

Ai shtoi se shumica parlamentare në Këshillin për Mandatet do t’i rekomandojë seancës plenare rrëzimin e kërkesës së SPAK për dhënien e autorizimit për arrestimin e Ballukut.

Megjithatë, sipas tij, ky vendim nuk pengon SPAK të vijojë hetimet ndaj ish-zv.kryeministres.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu