
Presidenti francez Emmanuel Macron njoftoi se aeroplanmbajtësja “Charles de Gaulle” do të dislokohet në Mesdhe, në kuadër të përshkallëzimit të tensioneve pas sulmeve izraelito-amerikane ndaj Iranit dhe kundërpërgjigjes iraniane në rajon.
Në një fjalim televiziv drejtuar kombit, Macron deklaroi se Franca ka rrëzuar dronë “në kuadër të vetëmbrojtjes, që në orët e para të konfliktit, për të mbrojtur hapësirën ajrore të aleatëve tanë”.
Ai bëri të ditur gjithashtu dislokimin “në orët e fundit” të avionëve luftarakë Rafale, sistemeve të mbrojtjes kundërajrore dhe dërgimin e fregatës “Languedoc” në rajon.
Macron: Të krijojmë një koalicion për sigurinë e trafikut detar
Presidenti francez njoftoi edhe nismën për krijimin e një koalicioni ndërkombëtar me qëllim garantimin e sigurisë së trafikut detar në Lindjen e Mesme.
“Do të ndërtojmë një koalicion për të bashkuar mjetet, përfshirë ato ushtarake, për të rikthyer dhe garantuar sigurinë e trafikut detar në Lindjen e Mesme”, deklaroi Macron.
Nisma vjen në një moment kritik për rajonin, ndërsa përshkallëzimi i konfliktit ka rritur shqetësimet për sigurinë e korridoreve detare dhe furnizimin global me energji.






