Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama dhe presidentin serb Aleksandër Vuçiç se po dëmtojnë procesin e integrimit europian të Shqipërisë.

Në një deklaratë nga foltorja para Kryeministrisë, Berisha u shpreh se integrimi në Bashkimi Evropian është “ëndrra më e bukur e këtij kombi” dhe akuzoi Ramën se, sipas tij, po tërhiqet nga standardet dhe kriteret që lidhen me anëtarësimin e plotë në BE.

“Vetëm një armik i shqiptarëve mund të shprehet se nuk kemi nevojë për anëtarësim me të drejta të plota në BE”, deklaroi Berisha, duke shtuar se procesi i integrimit ka si thelb garantimin e të drejtave të qytetarëve, barazinë para ligjit, votën e lirë dhe standardet e mirëqenies.

Ai theksoi se kriteret e Kopenhagenit dhe zbatimi i standardeve europiane janë të lidhura drejtpërdrejt me jetën e qytetarëve, duke përmendur sistemin arsimor, shëndetësor dhe shërbimet publike.

Sipas Berishës, heqja dorë nga këto standarde përbën, në fjalët e tij, një dëm për aspiratën europiane të shqiptarëve. Deklarata u shpërnda nga Zyra e Medias dhe Komunikimit e Partisë Demokratike.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu