
Kryeministri Edi Rama ka reaguar në platformën X pas ngjarjeve të mbrëmshme në Tiranë, duke i cilësuar ato si një akt barbarie dhe vandalizmi të organizuar.
Rama thekson se sapo kishte dalë nga rezidenca e artistëve në ish-shtëpinë e diktatorit, ku fondacioni prestigjioz Art Explora mikpret të rinj nga Shqipëria, Kosova dhe bota, të cilët – sipas tij – ishin të traumatizuar nga dhuna e një nate më parë.
Ai e përshkruan sulmin si:
“Një sulm i verbër i një grushti të verbërish të paguar për të frikësuar qytetin dhe njollosur Shqipërinë, nën udhëheqjen e një ligësire kriminale tetëdhjetë e kusur vjeçare…”
Kreu i qeverisë sulmon ashpër edhe gjyqtarët që, sipas tij, lirojnë persona të arrestuar për akte dhune, duke i konsideruar bashkëpërgjegjës për vandalizmat.
“Turp për çdo gjykatës që rinxjerr në rrugë këta keqbërës të Shqipërisë dhe turp për qeverisjen e gjyqësorit që rri e vështron sikur Shqipëria nuk është edhe atdheu i saj!”
Deklarata e Ramës vjen në një klimë të tensionuar politike, pas protestave dhe incidenteve të raportuara në kryeqytet.



