Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se Shqipëria do ta shpallë zyrtarisht Islamic Revolutionary Guard Corps (IRGC) organizatë terroriste.

Në reagimin e tij, Rama thekson se “është koha të pritet litari dhe të shkohet drejt e në thelb”, duke kërkuar që Garda Revolucionare të trajtohet si organizatë terroriste jo vetëm përmes sanksioneve ndaj regjimit të Teheranit, por edhe përmes një klasifikimi të qartë zyrtar, siç kanë bërë tashmë Shtetet e Bashkuara dhe Kanadaja.

Ai nënvizon se ky qëndrim nuk lidhet vetëm me mbështetjen e Shqipërisë për Izraelin dhe vendet arabe që kërkojnë paqe, as vetëm me mbështetjen për Shtetet e Bashkuara nën drejtimin e Presidentit Donald Trump, por mbi të gjitha me nevojën për “qartësi morale dhe ligjore” përballë asaj që e quan natyrë vrastare të regjimit të Teheranit.

Rama kujton se Shqipëria ka përjetuar drejtpërdrejt sulme kibernetike nga Irani, duke e cilësuar çështjen jo si “gjeopolitikë abstrakte”, por si çështje sigurie kombëtare.

“Shqipëria do të veprojë në përputhje me këtë qëndrim. Do ta quajmë Gardën Revolucionare me emrin që meriton dhe do ta përfshijmë në listën e organizatave terroriste, duke u bërë thirrje edhe partnerëve evropianë të bëjnë të njëjtën gjë”, shkruan ai.

Kryeministri shprehet gjithashtu se mbështet çdo përpjekje vendimtare për të parandaluar që regjimi në Teheran të sigurojë kapacitete bërthamore apo ushtarake që mund të kërcënojnë Izraelin apo vende të tjera në Lindjen e Mesme.

“Terrorizmi duhet të emërtohet. Dhe sapo të emërtohet, duhet të ndalet”, përfundon Rama.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu