
Një 42-vjeçar është arrestuar nga Policia e Shtetit në kuadër të operacionit të koduar “Ndalesa”, për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve dhe të armëmbajtjes pa leje.
Në pranga ka rënë shtetasi Vilson Shima, 42 vjeç, banues në Tiranë, i cili u kap në flagrancë në zonën e Unazës së Madhe, duke transportuar me automjet rreth 10 kilogramë lëndë të dyshuar narkotike kanabis, që dyshohet se e posedonte me qëllim shitjen.
Sipas policisë, gjatë kontrollit në banesën e tij janë gjetur dhe sekuestruar 2 armë zjarri pistoletë, 2 silenciatorë dhe municion luftarak.
Operacioni u realizua nga Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative për një shtetas që transportonte lëndë narkotike dhe posedonte sende të kundërligjshme.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme hetimore.






