
Zhgënjim i thellë në kampin e Juventusit pas humbjes së rëndë 5-2 ndaj Galatasarayt në Champions League. Bardhezinjtë e nisën mjaft mirë sfidën dhe në fund të pjesës së parë kryesonin 2-1, falë dopietës së Teun Koopmeiners, që dukej i rikthyer në formën më të mirë.
Megjithatë, gjithçka ndryshoi në fraksionin e dytë. Skuadra e drejtuar nga Luciano Spalletti humbi kontrollin e lojës dhe u përmbys nga verdhekuqtë, të cilët shënuan katër gola në pjesën e dytë për të vulosur një fitore spektakolare 5-2.
Një moment kyç i takimit ishte përjashtimi i Cabal, i cili hyri në fushë në vend të Cambiasos, por mori dy kartonë të verdhë brenda 20 minutash, duke lënë Juventusin me 10 lojtarë në një moment delikat të ndeshjes.
Humbja ka ndezur polemika të forta në rrjetet sociale, ku shumë tifozë bardhezi në platformën “X” po kërkojnë shkarkimin e Spallettit për zgjedhjet taktike dhe zëvendësimet që, sipas tyre, ndikuan negativisht në rezultat. Megjithatë, drejtuesit e klubit vazhdojnë t’i japin besim trajnerit.
Galatasaray, me këtë fitore, hedh një hap të madh drejt kualifikimit në fazën e 1/8-ave të Champions League, ndërsa Juventusi duhet të reagojë menjëherë.
Fokusi i bardhezinjve kalon tani te kampionati italian, ku të shtunën do të përballen me Comon në ndeshjen hapëse të javës së 26-të të Serie A. Yildiz me shokë janë të detyruar të fitojnë për të mos rrezikuar edhe më shumë objektivin për vendin e katërt, që siguron pjesëmarrjen në Champions sezonin e ardhshëm.






