Tetë skiatorë janë gjetur të pajetë pas një orteku të fuqishëm që goditi zonën malore pranë Lake Tahoe, në Kaliforni. Autoritetet konfirmuan se kërkimet vijojnë për një person të nëntë, i cili besohet gjithashtu se ka humbur jetën.

Orteku ndodhi të martën rreth orës 11:30 me orën lokale në zonën Castle Peak, duke përfshirë një sipërfaqe sa një fushë futbolli. Fillimisht u raportuan 15 skiatorë të zhdukur, ndërsa gjashtë prej tyre u shpëtuan.

Sipas Sherifes së Qarkut Nevada, Shannan Moon, kushtet në terren mbeten “jashtëzakonisht të rrezikshme”, duke e bërë të pamundur rikuperimin e menjëhershëm të trupave nga bora.


Operacion i vështirë shpëtimi

Operacioni i kërkim-shpëtimit përfshiu rreth 50 anëtarë nga dy ekipe të specializuara, të cilët punuan në kushte ekstreme moti, me erëra të forta dhe reshje të dendura bore.

Autoritetet thanë se një nga viktimat ishte bashkëshorti i një anëtari të ekipit të kërkim-shpëtimit, duke e bërë situatën edhe më të rëndë emocionalisht për ekipet në terren.

Dy prej gjashtë të mbijetuarve u transportuan në spital me lëndime jo kërcënuese për jetën, pasi nuk mund të ecnin për shkak të dëmtimeve të marra nga orteku.

Grupi përbëhej nga 11 skiatorë rekreativë dhe katër guida profesionale. Një nga të mbijetuarit ishte guidë, ndërsa pesë të tjerë ishin klientë të një turi malor tre-ditor.


Rrezik i lartë në zonë

Sipas Sierra Avalanche Center, orteku u klasifikua me shkallë shkatërrimi D2.5 (në një shkallë nga D1 në D5), çka nënkupton një gjatësi mbi gjysmë milje dhe depozitë bore rreth 2 metra të thellë.

Vetëm pas ortekut, në zonë kanë rënë edhe rreth 90 cm borë shtesë, duke rritur ndjeshëm rrezikun për ortekë të tjerë.

Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve të shmangin zonat e thella malore (backcountry) dhe të lejojnë ekipet të fokusohen në rikuperimin e trupave.

Stuhia ka çuar në mbylljen e disa autostradave kryesore, përfshirë Interstate 80 dhe Highway 50, ndërsa një resort pranë zonës së aksidentit vendosi të mbyllet për shkak të erërave të forta dhe dukshmërisë së ulët.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu