
Një grafiste filmash që dikur siguronte mbi 65 mijë paund në vit ka parë të ardhurat t’i bien ndjeshëm pasi inteligjenca artificiale filloi të zëvendësonte punën e saj. Ekspertët paralajmërojnë se ky mund të jetë vetëm fillimi i një transformimi të madh në tregun global të punës.
Leonie Tucker, 36 vjeç, kishte ndërtuar për më shumë se një dekadë një karrierë të suksesshme si graphic designer në industrinë e filmit, duke punuar edhe për projekte të Apple TV. Por brenda pak muajsh, kërkesa për punën e saj u zhduk.

Nga mbi 65 mijë paund në vit, të ardhurat e saj ranë në rreth 26 mijë, ndërsa sot ajo përfiton ndihmë sociale. Sipas saj, ndryshe nga krizat e mëparshme si pandemia apo grevat në Hollywood, këtë herë puna nuk po rikthehet – sepse shumë procese po kryhen tashmë nga AI.
Ekonomistët paralajmërojnë se inteligjenca artificiale po përparon me shpejtësi dhe mund të automatizojë një gamë të gjerë profesionesh, nga dizajni dhe marketingu te programimi, financa apo konsulenca. Profesori Anton Korinek paralajmëron se papunësia mund të rritet ndjeshëm nëse vendet nuk përgatiten për skenarët më të këqij.

Edhe fituesi i Nobelit në Ekonomi, Daron Acemoglu, ngre shqetësimin për krijimin e një “nënklase të përhershme” punëtorësh, nëse teknologjia përdoret kryesisht për të zëvendësuar njerëzit dhe jo për t’i ndihmuar ata.
Sipas një raporti të Institute for Public Policy Research, deri në 8 milionë vende pune në Britani mund të rrezikohen në afat të afërt. Ekspertët parashikojnë se viti 2026 do të jetë periudha e adoptimit masiv të AI, ndërsa ndikimi real në tregun e punës mund të ndihet fort që nga 2027.

Megjithatë, historia tregon se revolucionet teknologjike shpesh shkatërrojnë disa profesione, por krijojnë të tjera. Pyetja që shtrohet tani është nëse kjo valë e re do të ndjekë të njëjtin model – apo do të ndryshojë përgjithmonë mënyrën se si punojmë./The Telegraph






