Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, mbrojtja e ish-presidentit Hashim Thaçi ka kundërshtuar pretendimet e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), duke deklaruar se nuk ekzistojnë prova që ai ka drejtuar Drejtorinë Politike apo ka hartuar komunikatat e Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

Avokati Luka Mishetiq tha se prokuroria pretendon që Thaçi e drejtonte Drejtorinë Politike që nga qershori i vitit 1998, por nuk ka paraqitur prova që ai e ka ushtruar këtë funksion para kësaj periudhe. Sipas tij, dëshmitari Nuhi Bytyçi ka deklaruar gjatë kundërpyetjeve se Thaçi nuk ishte drejtor deri në nëntor të vitit 1998, dëshmi që, sipas mbrojtjes, nuk u kontestua nga prokuroria.

Mbrojtja argumentoi gjithashtu se nuk ka prova që Thaçi ka qenë figurë udhëheqëse në Lëvizjen Popullore të Kosovës apo që ka mbikëqyrur shpërndarjen e informacioneve politike të UÇK-së.

Sipas avokatit, asnjë dëshmitar nuk ka pohuar se Thaçi ka përgatitur deklarata politike, ndërsa prokuroria ka cituar vetëm dy prova për të mbështetur këtë pretendim. Ai shtoi se edhe Rexhep Selimi ka pranuar se nuk kishte dijeni se kush i hartonte komunikatat, duke e cilësuar këtë një element që rrëzon akuzat.

Aktualisht, gjyqi ndaj Thaçit dhe të tjerëve ka kaluar në seancë me dyer të mbyllura.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu