Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të kryeministrit Edi Rama lidhur me vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e zëvendëskryeministres Belinda Balluku. Në një mesazh drejtuar qytetarëve, Berisha e akuzoi Ramën se po vepron “në panik” dhe se po tenton të mos përfillë vendimin e drejtësisë.

Sipas tij, pretendimi se nuk ka ndodhur kurrë që një ministër të pezullohet nga gjykatat është “një mashtrim i madh”.

“Në rajon, në Europë dhe në botë, gjykatat kanë pezulluar jo vetëm ministra, por edhe kryeministra,” u shpreh Berisha.

Ai shtoi se Rama nuk e sheh vendimin si një goditje ndaj Ballukut, por si një precedent që mund të çojë edhe në pezullimin e tij.

Berisha akuzoi gjithashtu kryeministrin se po kërcënon procesin europian të vendit dhe po dëmton shtetin ligjor, duke e cilësuar situatën si të paprecedentë.

Në reagimin e tij, lideri i opozitës paralajmëroi se Rama mund të përballet me pasoja nëse pengon sistemin e drejtësisë, ndërsa theksoi se vendimet duhet të respektohen.

Thirrje për protestë

Në fund të deklaratës, Berisha u bëri thirrje qytetarëve që të bashkohen në protestën e paralajmëruar për ditën e martë.

“Secili prej jush të protestojë dhe të shprehë revoltën në një kryengritje paqësore, jo vetëm për vete, por për fëmijët dhe për të ardhmen europiane të Shqipërisë,” apeloi ai.

Sipas Berishës, respektimi i ligjit dhe i Kushtetutës është rruga e vetme për integrimin e vendit në Bashkimin Europian dhe për rivendosjen e shtetit ligjor.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu