
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka shprehur mbështetjen e tij për marshin qytetar “Drejtësi, jo politikë”, i cili do të mbahet më 17 shkurt në Prishtinë në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që ndodhen në paraburgim në Hagë.
Mbështetja erdhi gjatë një takimi zyrtar me përfaqësuesit e platformës qytetare “Liria ka Emër”, Eliza Hoxha dhe Ismail Tasholli, të cilët ndodhen në Maqedoninë e Veriut në kuadër të një turi takimesh me faktorë politikë dhe veprimtarë shqiptarë në rajon.
Ahmeti e cilësoi çështjen si me rëndësi historike dhe kombëtare, duke theksuar se drejtësia për çlirimtarët lidhet drejtpërdrejt me dinjitetin kolektiv të shqiptarëve.
“Lufta çlirimtare e popullit tonë ishte e drejtë, e domosdoshme dhe historikisht e pastër. Ata që udhëhoqën dhe mbrojtën këtë luftë nuk mund të mbahen peng i padrejtësive politike. Vendi i tyre është në shtëpi, pranë familjeve dhe popullit të vet”, deklaroi Ahmeti.
Nga ana e saj, Eliza Hoxha bëri të ditur se mobilizimi qytetar po rritet nga dita në ditë dhe se marshi synon të japë një mesazh të fuqishëm dhe gjithëpërfshirës.
“Ky marsh nuk është kundër askujt, por në mbrojtje të drejtësisë. Po ndërtojmë një mobilizim të madh qytetar, brenda dhe jashtë Kosovës, sepse kjo është një kauzë që i tejkalon partitë dhe kufijtë”, u shpreh ajo.
Ismail Tasholli theksoi dimensionin gjithëkombëtar të nismës, duke nënvizuar se mbështetja nga liderë dhe komunitete shqiptare në rajon dhe diasporë e forcon mesazhin e platformës.
“Drejtësia për çlirimtarët është çështje kombëtare. Mbështetja nga shqiptarët në rajon dhe diasporë dëshmon se kjo kauzë është e përbashkët dhe se zëri qytetar duhet të dëgjohet qartë”, tha Tasholli.
Platforma “Liria ka Emër” ka paralajmëruar se do të vijojë takimet me përfaqësues politikë dhe shoqërorë, duke bërë thirrje për pjesëmarrje masive në marshin e 17 shkurtit, i cili pritet të kthehet në një nga tubimet më të mëdha qytetare të muajve të fundit.






