
Ministri i Shtetit, Toni Gogu ka komentuar debatin mes qeverisë dhe shoqatave të gjyqtarëve e prokurorëve për çështjen e pagave, duke theksuar se qeveria nuk synon ulje pagash dhe se thelbi i konfliktit lidhet me kompetencat kushtetuese për piramidën e pagave.
“Në asnjë rast qeveria shqiptare nuk synon uljen e pagave të gjyqtarëve. Asnjë rast. Është e kundërta”, u shpreh Gogu gjatë një interviste në A2 CNN me gazetarin, Pandi Gjata.
Sipas tij, ajo që po kërkohet është që Gjykata Kushtetuese të vendosë për pagat, gjë që sipas ministrit do të ishte devijim i rolit të saj.
“Gjyqtarët po kërkojnë që Gjykata Kushtetuese të kthehet në një komision pagash… t’i marrë kompetencën Kuvendit për të caktuar pagat dhe piramidën e pagave”, deklaroi ai.
Gogu e vendosi debatin në kornizën e integrimit europian, duke thënë se eficienca, vonesat dhe transparenca në emërime janë pjesë e kritereve që monitorohen.
“Ky debat lidhet me integrimin europian. Komisioni Europian ngre çështje për vonesat në gjykata, për emërimet e transferimet… dhe pavarësia nuk do të thotë të mos japësh llogari”, tha ministri.
Ai insistoi se pagat janë kompetencë e pushtetit ligjvënës dhe se skema aktuale garanton indeksim automatik.
“Pagën e cakton Parlamenti i Shqipërisë… dhe paga e gjyqtarëve është e lidhur me majën e piramidës së pagave, pagën e Presidentit. Sa herë indeksohet ajo, indeksohen automatikisht edhe pagat e gjyqtarëve”, u shpreh Gogu.
Sipas tij, debati duhet të fokusohet te standardet e llogaridhënies dhe funksionimit, jo te “pazari i pagave”.
“Nuk duhet ta zbresim në pazar pagash. Është çështje shteti, hierarkie dhe kushtetute”, vlerësoi ministri i ftuar në studion e A2CNN.






