
Në një tjetër jetë, Saif al-Islam Gaddafi dukej i destinuar për pushtet. Djali i ish-liderit libian Muammar Gaddafi jetonte mes luksit, shfaqej në qarqet elitare europiane dhe ushqente ambicie të mëdha politike, duke e parë veten si pasues natyral të regjimit të të atit. Emri i tij – “Shpata e Islamit” – simbolizonte, sipas tij, një mision më të madh, ndërsa shpesh preferonte të prezantohej si inxhinier, artist apo reformator.
Ai frekuentonte hotele luksoze, organizonte takime me biznesmenë dhe politikanë dhe nuk e fshihte stilin ekstravagant të jetesës, nga koleksionet e kafshëve ekzotike deri te ekspozitat e artit që promovonte. Por ambicia për t’u shndërruar në një figurë politike globale nuk u përputh kurrë me realitetin e trazuar të Libisë pas rënies së regjimit të Gaddafit.
I akuzuar për krime dhe tortura gjatë konfliktit libian, Saif kaloi vite në burg dhe u dënua me vdekje, përpara se të përfitonte nga një amnisti në vitin 2016. Që prej asaj kohe jetoi kryesisht në hije, duke u mbështetur te rrjetet e mbrojtjes lokale, ndërsa herë pas here tentonte rikthimin në skenën politike, madje duke paralajmëruar kandidimin për president.
Analistët e shohin figurën e tij si simbol të një epoke ku mbiemri Gaddafi kishte ende peshë, por jo më fuqinë për të garantuar pushtet. Në një Libi të fragmentuar nga rivalitetet dhe interesat e brendshme e të jashtme, trashëgimia familjare nuk mjafton – pushteti fitohet dhe humbet shpejt, shpesh me pasoja fatale.
Saif al-Islam Gaddafi u vra së fundi në rrethana ende të paqarta në Libi. Sipas raportimeve, persona të armatosur hynë gjatë natës në banesën e tij dhe e qëlluan për vdekje, ndërsa autoritetet pritet të nisin një hetim për të zbardhur motivet e atentatit.






